IMG 1

Prishtinë, 5 maj. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa më të ashpra për mbrojtjen e lumenjëve nga ndotja, degradimi dhe shkatërrimi që po i bën faktori njeri.

QPA gjatë zbatimit të disa projekteve për mbrojtjen e mjedisit, ka vërejtur se shtretërit e lumënjëve janë dëmtuar në masë të madhe si pasojë e nxjerrjes ilegale të rërës dhe zhavorrit, gjë që ka ndikuar edhe në rrjedhën e lumenjëve. Shqetësuese paraqitet gjendja sidomos në lumenjtë Drini i Bardhë dhe Bistrica, të cilat i janë nënshtruar degradimit nga nxjerrja e zhavorrit dhe inerteve. QPA dëshiron të theksojë se sipërfaqe të mëdha të tokës dhe disa vendbanime në afërsi të këtyre lumenjëve rrezikojnë të përfshihen nga vërshimet, si pasojë e eksploatimit të pakontrolluar nga operatorët e ndryshëm ilegal.

Sipas nenit 347 të Kodit Penal të Kosovës, ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit përbën vepër penale dhe personat që kryejnë vepra të tilla mund të dënohen nga 1 deri në 8 vjet burgim. Megjithatë QPA tërheq vërejtjen për mosefikasitet të gjykatave në zgjidhjen e lëndëve mjedisore, përkatësisht në mosndëshkimin e personave përgjegjës për shkatërrimin e lumenjëve apo në dënimin simbolik të tyre. Kështu për shembull, gjatë monitorimit të punës së gjykatave në Rahovec, Klinë dhe Gjakovë është vërejtur se ishin ngritur 68 aktakuza për ndotje, degradim dhe shkatërrim të mjedisit, prej të cilave 35 raste ishin zgjidhur nga gjykatat dhe ndëshkimi më i madh ishte shqiptuar me gjobë prej 300 euro apo dënim me kusht, përderisa të pazgjidhura kishin mbetur edhe 33 lëndë tjera, disa prej të cilave që nga viti 2012.

Rrjedhimisht kapacitetet e pamjaftueshme të inspektorëve të mjedisit dhe kultura e mosndëshkueshmërisë nga ana e gjykatave, po ndikon në masë të madhe që ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit të vazhdojë edhe më tutje.

QPA do të vazhdojë të angazhohet për ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit, posacërisht lumenjëve nga faktori njeri, teksa do të avokojë që lëndët mjedisore në gjykata të trajtohen më me prioritet.

 

Projekti ‘T’i ruajmë lumenjtë nga ndotja dhe degradimi’ financohet nga ENV.NET dhe ATRC

Video spoti: https://drive.google.com/file/d/0B0vtKkBllICNc1lVeWw1aV80aTg/view