Prishtinë, 1 maj 2017. Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) kërkon nga institucionet kompetente që të sigurojnë zbatimin e legjislacionit të punës. Është shumë shqetësuese që edhe 7 vjet pas hyrjes në fuqi , Ligjii i Punës  vazhdon  të shkilet në masë të madhe sidomos nga punëdhënësit e sektorit privat, ndërsa zbatimi i marrëveshjes kolektive është suspenduar tërësisht në sektorin privat pas presioneve nga punëdhënësit.

Fakt shqetësues është paisja e punëmarrësve me kontrata afatshkurtëra dhe informaliteti. Mbi 70% e punëmarrësve kanë kontrata afatshkurtra të punës.  Sipas anketës së fuqisë punëtore të realizuar nga Agjencia e Statistikave, aktualisht në Kosovë janë të punësuar  350 mijë persona (Burra: 248,224, Gra: 75,284),  ndërsa kontribues aktiv në trustin pensional janë 269.900, ose mbi 80,000 punëmarrës nuk  kanë kontrata pune. Tek të rinjtë (15-24 vjec) kjo përqindje është më e lartë, 51.6%  e tyre punojnë pa kontratë pune.

Shkeljet më evidente të cilat kanë shoqëruar punëmarrësit gjatë vitit 2016 kanë qënë ndërprerja e kontratës,  mos respektimit të orarit të punës, mos kompenzimi i orëve shtesë të punës, të ndërrimit të natës, puna gjatë festave,  pushimit vjetor, pushimit  të lindjes dhe pushimit mjekësor.

Siguria  dhe mbrojtja e shëndetit në vendin e punës  është brengosëse. Ministria e Punës dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës në vitin 2015 kishin nisur fushatën vetëdijësuese rreth përmirësimit  të kushteve të sigurisë në vendin e punës. Megjithë këto masa të ndërmarra nga institucionet për zbatimin e ligjit, numri i punëtorëve të cilët kanë gjetur vdekjen në vendin e punës dhe të atyre që kanë pësuar lëndime të rënda trupore mbetet shqetësues.  Në vitin  2016,  9 punëmarrës kishin vdekur në vendin e punës, ndersa 62 kishin pësuar lëndime të rënda ose 13 më shumë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vetëm 3 janë kompensuar për lëndimët e pësuara në punë . Numri i të lënduarve sipas sindikatave është më i lartë, mirëpo këto raste nuk raportohen për shkak të rrezikut që mund ta humbin vendin e punës.

Në anën tjetër Inspektorati I Punës, si organ që garanton zbatimin e Ligjit të Punës, gjatë vitit 2016 ka realizuar 7285 inspektime, rreth 2 mijë më pak se në vitin 2015. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, deri në fund te vitit 2016, rreth 70 mijë biznese ishin aktive.  Inspektorati i Punës ka treguar përformancë të dobët, duke inspektuar vetëm 10% të bizneseve aktive.

Mosavancimin e të drejtave të punëtorëve dhe shkeljes së tyre i  kontribuojnë edhe organizimi i dobët sindikal, politizimi dhe përcarja e tyre. Në Kosovë aktualisht sindikatat janë të ndara në disa grupime, në BSPK, SBASHK dhe Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Policisë etj . Këto  tre të të fundit para disa viteve ishin ndarë nga BSPK dhe operojnë të pavarura.  Në Këshillin Ekonomiko –Social në të cilin diskutohet për dialogun social, është e përfaqësur vetëm BSPK. Këto sindikata të cilat janë edhe organizimet sindikale kryesore nuk bashkëpunojnë me njëra tjetrën, ndërsa anëtarët e tyre janë pothuajse mbi 90% të punësuar nga sektori publik, indikator ky që tregon se sindikatat në sektorin privat me disa përjashtime janë të papërfillshme dhe jo funksionale.