Kosova ende pa listë zyrtare për sëmundjet profesionale

Ndonëse ende nuk dihen faktorë të këtyre sëmundjeve, të pakta janë rastet që kanë shërim si në raste me sëmundje si kanceri. Por, ndryshe është me sëmundjet profesionale që tashmë janë pak a shumë të ditura.

Pavarësisht rasteve të ndryshme me sëmundje, Kosova ende nuk ka një listë të sëmundjeve profesionale, listë kjo e cila do të identifikonte sëmundjet me të cilat preken të punësuarit në institucione të ndryshme publike e private.

Zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrustem Musa, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka përpiluar listën e sëmundjeve profesionale.

Sipas tij, dilema e vetme tani është që këtë listë ta nënshkruajë ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismaili, apo të dërgohet në Qeveri.

“Lista me sëmundjet profesionale është përfunduar. Tani po mendojmë a ta nënshkruajë këtë listë Ministri Shëndetësisë, apo ta dërgojmë direkt në Qeveri. Lista nuk ka kosto buxhetore, për këtë arsye jemi në dilemë si ta dërgojmë në Qeveri. Arsyeja pse nuk i kemi paraqitur kosto buxhetore, është se ne ende nuk e dimë se sa persona janë të prekur nga sëmundjet profesionale”, ka thënë ai.

Musa ka theksuar se do të ishte më mirë që këtë listë ta nënshkruaj Qeveria e Kosovës.

“Sipas meje këtë listë do të duhej ta dërgonim në Qeveri për ta nënshkruar për arsye të kostos, që pastaj këtu implikohet edhe Ministria e Financave. Mirëpo, tani jemi në pritje se si do t’ia bëjmë”, është shprehur ai.

Në listën e sëmundjeve profesionale, të cilën e ka siguruar Telegrafi, sëmundjet janë ndarë në nëntë kategori.

“Në këtë listë bëjnë pjesë: sëmundjet e shkaktuara nga metalet dhe metaloidet, sëmundjet e shkaktuara nga helmimet me gazra, sëmundjet e shkaktuara nga helmimet me tretës, sëmundjet e shkaktuara nga helmimet me pesticide, sëmundjet e shkaktuara nga veprimi i faktorëve fizikë, sëmundjet e shkaktuara nga faktorët biologjik, sëmundjet e organeve respiratore, sëmundjet e lëkurës, sëmundjet malinje”, janë sëmundjet e identifikuara në listën e përpiluar nga MSH.

Në këtë listë thuhet se sëmundjet e përmendura konsiderohen sëmundje profesionale kur lidhen direkt me profesionin e pacientit dhe ekspozimin në vendin e punës gjatë ushtrimit të veprimtarisë së punës.

“Vendet e punës përfshijnë të gjitha vendet dhe hapësirat nën mbikëqyrjen direkte dhe indirekte nga punëdhënësi ku të punësuarit duhet të kryejnë aktivitete pune dhe të qëndrojnë gjatë procesit të punës”, thuhet në këtë listë.

Ndonëse kjo listë ende nuk është zyrtare, sindikalistët thonë se gjendja e punëtorëve nuk është e mirë.

Drejtuesi i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se shumica e punëtorëve pasi të identifikohen me ndonjë sëmundje nuk reagojnë nga frika se humbin vendin e punës.

Azemi ka përmendur disa raste të sëmundjeve nga detergjentet me të cilat pastrohen ambientet e ndryshme.

“Ne kemi shumë raste me sëmundje profesionale. Tash së fundi punëtorët që punojnë në shkolla apo në Qendra të Mjekësisë, që pastrojnë me detergjente, sidomos me një lloj të detergjentit, i cili pas një përzierje me një detergjent tjetër shkakton sëmundje tejet të rëndë. Për këtë një kompani e cila punon me detergjente i ka dërguar mostrat në Gjermani, dhe pritet shumë shpejt të kthehen rezultatet. Pra ky preparat, i cili përdoret për pastrim shkakton një reaksion tejet të rëndë”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij, ka edhe raste të tjerë që punëtorët janë të prekur me sëmundje profesionale, por që nuk janë lajmëruar tek punëdhënësit.

“Kemi informacione që disa nga punëtorët teknik në qendrën studentore kanë shkuar të bëjnë kontroll rutinore te mjeku. Në analizat atyre u ka dalë që shikimi i tyre pothuajse në pjesën më të madhe të syrit është dëmtuar. E gjithë kjo si pasojë e përdorimit të preparateve me të cilat punojnë dhe pastrojnë. Për këtë ne kemi reaguar që të mos përdoret ky detergjent, mirëpo jemi edhe duke i pritur analizat që të reagojmë edhe tek institucionet përkatëse”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Azemi, ka thënë se punëtorët më së paku i kushtojnë rëndësi shëndetit të tyre.

“Sot kemi shumë punëtorë të tjerë që shkojnë dhe kontrollohen, u shfaqet ndonjë sëmundje por ata nuk lajmërohen për shkak se frikësohen mos e humbin punën. Këta punëtorë nuk e marrin seriozisht sëmundjen me të cilën identifikohen, dhe nuk ankohen tek punëdhënësit sepse humbin vendet e punës. Po ashtu shumë punëtorë vuajnë nga sëmundjet e kurrizit, dhe edhe për këtë nuk ankohen. Ne i kushtojmë shumë pak vëmendje shëndetit dhe e gjithë kjo si pasojë edhe e mungesës së legjislacionit, pasi që edhe punëdhënësit më pas nuk i trajtojnë punëtorët e sëmurë”, është shprehur ai.

Edhe nënkryetari i Sindikatës së Re në Korporatën Energjetike të Kosovës (SR-KEK), Nexhat Llumnica ka thënë se në sektorë të ndryshëm në Kosovë, punëtorët vuajnë nga sëmundje profesionale.

Sipas tij në Korporatën Energjetike të Kosovës janë të pranishme këto sëmundje profesionale.

“Sëmundjet profesionale janë të theksuara në Korporatën Energjetike të Kosovës. Kjo pasi që është natyra e punës e tillë. Mirëpo, nuk mund të trajtohen sipas ligjit të punës, dhe ligjit për siguri në punë, ku duhet të ketë një vendim dhe të paguhen 100 për qind të pagës gjatë pushimit shëndetësor”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij arsyeja që nuk trajtohen sëmundjet profesionale është se nuk përgjigjet askush për këtë.

“Sëmundjet profesionale mund të jenë edhe kancerogjene, dhe këtu në KEK ka shumë punëtorë të cilët vdesin nga kjo sëmundje, por asnjëherë nuk trajtohen sipas ligjit, ku duhet t’i jepet edhe familjes një dëmshpërblim. Janë të njëjta sikurse sëmundjet aksidentale, vetëm se janë profesionale. Në njëfarë forme është aksident edhe sëmundja profesionale, sepse është marrë gradualisht nuk është marr shpejt si aksidenti, dhe duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë”, ka thënë ai.

Llumnica ka theksuar se Ministria e Shëndetësisë duhet të reagojë në këtë aspekt që t’i rregullojë me ligj këto sëmundje.

“Ligji është i mangët në këtë aspekt. Është detyrë e Ministrisë së Shëndetësisëta ta trajtojë këtë në aspekt shëndetësor dhe t’i identifikojë vendet me rrezikshmëri në punë e pastaj t’i mobilizojë punëtorët për këtë. Po ashtu duhet të ketë ligj për këto sëmundje”, është shprehur ai.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Telegrafin se atyre nuk iu është lajmëruar asnjë rast që është i prekur me sëmundje profesionale.

Sipas tij mjekët në Kosovë punojnë në kushte minimale.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi asnjë rast të lajmëruar, përkundër faktit se ato janë prezente dhe këtë duke e marr parasysh kushtet në të cilat punojnë mjekët në Kosovë, pra me mbrojtje minimale. OMK ka në planin e saj të organizojë një sondazh mes anëtarëve të vet rreth kësaj çështjeje”, ka thënë ai.

Drejtori i mjekësisë së punës në Obiliq, Rexhep Kaquri, i pyetur nga Telegrafi për ndonjë rast, ka thënë se për këtë duhet të ketë protokoll Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk ka as protokoll Ministria e Shëndetësisë, nuk ka asgjë”, ka theksuar ai.

Ndërsa Drejtori i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, Luan Nagavci, ka thënë se tani nuk kanë ndonjë rast të regjistruar me sëmundje profesionale.

“Qe 6 vite nuk kemi diçka shqetësuese nëkëtë drejtim. Po ashtu duke e pasur parasysh që shumica e fabrikave nuk punojnë tani, nuk kemi pasur ndonjë rast. Këtu tek ne jemi marr kryesisht me sëmundjet të rastit respirator, pasi që ka qenë Fabrika e Tekstilit ‘Emin Duraku’, por tani pasi që nuk punon nuk ka raste”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij para viteve ’90-të kanë pasur raste me sëmundje profesionale.

“Kur punonte fabrika para viteve ’90 ka pasur raste me sëmundje profesionale sidomos ato sëmundjet respiratore, pra për shkak të rastit me pambuk. Tash nuk ka diçka shqetësuese sa i përket institucionit tonë, pra nuk ka ndonjë statistikë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Besim Mustafa nga Oda Ekonomike, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se çdo punë i ka rreziqet e veta.

Ai ka deklaruar se puna në administratë ka rreziqe.

“Çdo pozicion, çdo punë qoftë edhe administrative i ka rrezikshmëritë dhe të metat në shëndet. Edhe në karrige po të qëndrosh, pra ku një pjesë e madhe e njerëzve që punojnë në administratë, nëse nuk i përdorin drejt karrigen, tavolinën dhe kushtet e tjera të zyrës mund të jenë ndikuese në shëndet. Nga ana tjetër është edhe pozicioni ku nëpër disa institucione publike nuk ka as dritë, ndërsa aty punohet tetë orë. Ajo mund të shkaktoj sëmundje profesionale sepse nuk e ka qasjen në dritë. Janë mekanizmat që e trajtojnë këto çështje të punëtorëve”, ka thënë ai.

Ndërsa në Inspektoriatine Punës thonë se Kosova ende nuk e ka listën e sëmundjeve profesionale.

Musa Demiri nga Inspektoriati i Punës ka thënë për Telegrafin së në Inspektoriat nuk është paraqitur ndonjë rast me sëmundje profesionale.

“Në Inspektoratin e Punës nuk ka ndonjë rast të paraqitur për sëmundje profesionale. Kosova ende nuk e ka listën e sëmundjeve profesionale. Për hartimin e kësaj liste kompetente është Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Sipas Ligjit të Punës, punëdhënësi është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.

Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. Në anën tjetër, i punësuari është i detyruar ta informojë Inspektoratin e Punës në rast të ndonjë aksidenti me pasojë në lëndimin apo vdekjen e të punësuarit.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.


By | 2019-04-30T08:15:41+00:00 April 30th, 2019|Ballina|0 Comments