Lista që “amniston” sëmundjet

Në Kosovë dhjetëra njerëz vdesin në vendin e punës gjatë vitit. Numri i madh i fataliteteve bën që opinioni të fokusohet në këto raste, kurse një fenomen tjetër po ashtu shumë shqetësues dhe që prek mijëra punëtorë në Kosovë kalon gati heshturazi dhe gati që “amniston” shkeljet dhe sëmundjet.

Sëmundjet profesionale

Sipas Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë sëmundje profesionale definohet çdo sëmundje e shkaktuar nga ekspozimi në elementet e dëmshme dhe të rrezikshme kimike, fizike dhe biologjike në ambientin e punës gjatë ushtrimit të veprimtarisë së punës.

Mirëpo, deri me tani institucionet përgjegjëse nuk kanë evidenca për sëmundje të tilla, për shkak se autoritetet kurrë nuk e kanë miratuar një listë të saktë të sëmundjeve profesionale.

Pikërisht këtu qëndron një nga problemet e mëdha. Nëse dikush sëmuret në vendin e punës për shkak të ajrit të ndotur, zhurmës, dridhjes, gazrave helmuese, aksidenteve të natyrave të ndryshme dhe shumë faktorëve të tjerë, këto raste nuk mund të trajtohen si sëmundje profesionale dhe punëtori nuk mund të merr kujdesin dhe trajtimin që i takon me ligj, pikërisht sepse një listë e sëmundjeve profesionale nuk ekziston.

Kjo “listë” për të cilën thuhet se ka qenë e përpiluar në vitin 2019 dhe mund të miratohet këtë vit në rast se kabineti i ri qeveritar miraton propozimet e komisionit përkatës, deri më tani ka qenë arsyeja pse rastet e sëmundjes në punë kanë kaluar të “amnistuara”.

Shpërndarja e fajit

Ambientet si minierat, termocentralet, fabrikat e ndryshme punishtet e ndërtimtarisë, që identifikohen si vende pune me rrezikshmëri të lartë, mund të jenë edhe shkaktarë të lëndimeve ose sëmundjeve kronike që kanë kosto të lartë për shërim.

Institucionet thonë se kostoja e rasteve me kancer, diabet, poli trauma, infeksione të ndryshme kushtojnë shumë për tu trajtuar, kurse përgjegjësia për këto raste është vështirë të adresohet.

Në mungesë të një listë të sëmundjeve profesionale, shteti nuk është në gjendje të mbajë statistika të duhura se cilat kategori janë më të prekurat, cilat sëmundje janë më të shpeshtat dhe cilat kategori janë më të prekurat.

Mungesa e kësaj liste po ashtu e bën të pamundur që të kërkohet përgjegjësia juridike nga ana e punëdhënësve për rastet kur punëtorët preken nga sëmundjet akute apo kronike.

Mungesa e kësaj liste po ashtu e pamundëson realizimin e një skeme funksionale të sigurimit shëndetësor dhe jetësor të punëtorëve sepse nuk ka definim të qartë çka mund të mbulojë ky sigurim, çka duhet të mbulojë punëdhënësi, cilat janë përgjegjësitë e shtetit dhe të obligimet e të drejtat e punëtorit.

Situata aktuale bën që të shpërndahet faji, por nuk mundëson që të adresohet përgjegjësia nuk ndikon në përmirësimin e kushteve të punëtorëve në Kosovë.

Lista nuk është problemi i vetëm

Një listë e sëmundjeve profesionale është domosdoshme për të gjitha arsyet e lartë cekura dhe është obligim i institucioneve të Kosovës që mëtojnë të harmonizojnë kornizën ligjore më atë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Por, mungesa e listës nuk është assesi problemi i vetëm. Shumica e rasteve të sëmundjeve që përfundojnë me vdekje mund të shmangen vetëm nëse punohet në parandalimin e tyre, sepse shërimi kushton shumë dhe jep pak rezultate.

Parandalimi i rasteve të sëmundjeve profesionale bëhet duke investuar në ambient më të mirë, më të pastër dhe më të sigurt të punës, duke respektuar normativat ligjore për kontroll sistematik të punëtorëve dhe normat ligjore për siguri në vendin e punës.

Parandalimi i këtyre rasteve mund të bëhet edhe me fushata të mira informimi për të drejtat dhe obligimet e punëtorëve dhe punëdhënësve. Përmirësimi i kushteve të tyre dhe trajtimi më i mirë, që nënkupton edhe përkujdesjen për shëndet dhe parandalim të sëmundjeve do të bëhet domosdoshmëri e shoqërisë, por edhe tregut.

“Ky editorial është pjesë e projektit ‘Për një vend pune të sigurt dhe të shëndetshëm’ që përkrahet nga Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”.

By | 2020-02-10T12:58:53+00:00 February 10th, 2020|Aktivitete, Ballina|0 Comments