Tryezë Regjionale për Përmirësimin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Ballkanin Perëndimor

Në kuadër të Iniciativës Regjionale për Përmirësimin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Ballkanin Perëndimor, PEN – Peer Educators Network dhe Qendra per Politika dhe Avokim mbajtën dje një tryezë diskutimi mbi shëndetin dhe sigurinë në punë në Kosovë.

Paneli i përbërë nga Zv.Ministri i Punës dhe Udhëheqësi i Këshillit Kombëtar për Shëndet dhe Siguri në Punë – Z. Çerkin Dukolli, Kryeinspektori i Punës – Z.Basri Ibrahimi, Kryetari i BSPK-së – Z.Avni Ajdini dhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës – Z.Besim Mustafa, pas prezantimeve fillestare hapi diskutimin edhe për pjesëmarrësit e tjerë.

Përfaqësues/e të sindikatave, ministrive, shoqërisë civile dhe hisedarëve të tjerë patën mundësinë të diskutojnë me panelistët kornizën ligjore që rregullon fushën e shëndetit dhe sigurisë në punë, gjendjen aktuale në Kosovë, të drejtat e punëtorëve dhe punëdhënësve dhe sfidat me të cilat ballafaqohet secila palë.

Në tryezë ishin të pranishëm edhe përfaqësues/e të organizatave partnere nga Shqipëria dhe Serbia, me ç`rast edhe ndanë me të tjerët informata dhe statistika nga shtetet e tyre dhe hapën një diskutim me fokus tek shkëmbimi i praktikave të mira mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

U premtua se konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga tryeza do të merren parasysh nga palët relevante dhe do të diskutohen edhe në Këshillin Kombëtar për Shëndet dhe Siguri në Punë.

Kjo iniciativë mbështetet nga Olof Palme International Center dhe financohet nga Qeveria Suedeze.

By | 2018-10-12T11:30:33+00:00 October 12th, 2018|Aktivitete, Ballina, Ballina-Header|0 Comments