Vdekjet që kalojnë në heshtje

Në Kosovë papunësia vazhdon të jetë ndër më të lartat në Evropë dhe problemi më i madh social. Pikërisht fakti se një pjesë e madhe e rinisë është e papunë e “fsheh” një problem tjetër të madh për të cilin flitet pak – të drejtat e atyre që janë në punë.

Askush nuk dëshiron të flasë

Nëse i shikojmë statistikat, vitin e kaluar (2018) në vëndin e punës ishin aksidentuar 260 të punësuar, përderisa 22 nga ta kishin pësuar me fatalitet. Kosova ka shkallën me të lartë të aksidenteve me fatalitet për 100 mijë të punësuar, krahasuar  me vëndet e BE-së dhe të rajonit ( 6.4 raste vdekjeje për 100 mijë të punësuar, që si shifër është gati  katër  herë me lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe më e larta në rajon).

Nëse edhe më tutje merremi me numra del se edhe kët viti numri i aksidenteve ka qënë i lartë, 14 raste të vdekjes në punë nga 240 punëtorë të aksidentuar.

Sektori më i rrezikshëm vazhdon të jetë ndërtimtaria dhe energjetika,  dhe punëtorët, qoftë në ndërtim të lartë (banesa dhe objekte afariste), qoftë në ndërtim të ulët (rrugë dhe infrastrukturë), janë viktima të aksidenteve, disa nga të cilat janë edhe fatale.

Për fat të keq numrat dhe “faktet e ftohta” shërbejnë si një nga burimet e pakta për të ilustruar gjendjen e rëndë të punëtorëve në Kosovë, sidomos atyre në sektorin privat, për shkak se një pjesë e mirë e shkeljeve nuk raportohen fare.

Kujtojmë që në Kosovë numri i ndërtimeve pa leje tashmë është në gjashtë shifra dhe kompanitë që operojnë duke shkelur ligjet, shkelin edhe të drejtat e punëtorëve, të cilët nuk i lajmërojnë të gjitha rastet.

Ata pak punëtorë që flasin për shkeljet, ose i dërgojnë lëndët në sindikatë ose inspektorat, kanë pak shpresë se kushtet e punës do tu përmirësohen dhe rënie e besimit në institucione është brenga tjetër.

Derisa jemi të numrat dhe statistikat duhet ndalur edhe tek një aspekt. Inspektorati i punës në Kosovë, si në nivel qendror, si në atë rajonal raporton e ka mungesë të inspektorëve të mjaftueshme dhe operon në kushte jo të mira.

Kjo i bie që derisa Bashkimi Evropian dhe shoqëria civile vazhdimisht konstatojnë se ka mbipopullim të disa segmenteve të administratës publike dhe shërbyesve civilë, njëkohësisht kemi mungesë njerëzish në disa segmente vitale, siç është inspektorati.

Kufizimi i dëmit

Nëse shikohen trendet e zhvillimit ekonomik në Kosovë, duket se edhe 20 vjet pas lufte, trendi i ndërtimit nuk do të ndalet. Projektet kapitale qeveritare kryesisht kanë të bëjnë me rrugë, infrastrukturë përcjellëse dhe objekte institucionale, kurse interesimi për të blerë banesa vazhdon të jetë në rritje, qoftë për shkak të demografisë së re, qoftë për shkak të interesimit të diasporës që të kenë prona në Kosovë.

Kjo i bie që punëtorët kosovarë do ti nënshtrohen pak e shumë rreziqeve të njëjta dhe nëse dëmi nuk mund të kufizohet tërësisht, e pakt që mund të bëhet është kufizimi i tij.

Zbatimi i ligjit dhe inspektimet e rregullta që do të siguronin se kjo gjë po ndodhë janë dy nga parakushtet themelore për një gjë të tillë.

Fuqizimi i rolit të sindikatave, depolitizomi i tyre dhe strukturimi më i mirë në terren do të ishte një parakusht tjetër themelor, që vetëm se do të bënte që punëtorët në Kosovë të kishin të drejtra dhe mbrojtje të përafërt me ata në Evropë.

Ndryshimi që mund të vjen

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në të drejtat, pagat dhe trajtimin e përgjithshëm të punëtorëve është vetë numri i tyre.

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë që Kosova po “zbrazet” dhe profesionistët e mirë gjithnjë e më shumë po gjejnë angazhim në vendet e Bashkimit Evropian me viza të rregullta pune dhe nuk po hezitojnë të shkojnë nga vendi.

Zvogëlimi i fuqisë punëtore do të duhej të rriste konkurrencën dhe konkurrenca do të duhej të përmirësonte edhe trajtimin e punëtorëve, edhe të drejtat e tyre si dhe pagat dhe përfitimet.

Ajo që mund të jetë vala e radhës e migrimit masive të kosovarëve drejt Evropës por jo vetëm, për kushte më të mira punë dhe jete, mund te jetë katalizatori edhe i trajtimit më të mirë të atyre që vendosin të qëndrojnë në Kosovë.

Sidoqoftë, rrethanat e tregut mund të diktohen nga parimi i ofertës dhe kërkesës vetëm atëherë kur ka sundim të ligjit dhe zbatim të rregullave të punës, për çka roli i shtetit (inspektorati dhe organet e rendit), por edhe punëtorëve (sindikatat dhe organizimet) është vital.

“Ky editorial është pjesë e projektit ‘Për një vend pune të sigurt dhe të shëndetshëm’ që përkrahet nga Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”.

By | 2020-02-10T13:11:33+00:00 December 30th, 2019|Ballina, Ballina-Header|0 Comments